Ekspozita e përhershme muzeale
Mineralet dhe shkëmbinjtë janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë natyrore dhe ruajnë në vetvete dëshmitë e së kaluarës së gjatë dhe të larmishme gjeologjike të Tokës. Ekspozita mineralogjike-petrografike paraqet pasurinë e mineraleve dhe shkëmbinjve të Maqedonisë përmes ekzemplarëve të përzgjedhur me kujdes nga lokalitete të ndryshme, të cilët dëshmojnë për proceset e ndërlikuara gjeologjike që e kanë formësuar këtë hapësirë.
Në pjesën hyrëse paraqiten ndërtimi kristalor dhe vetitë themelore fizike të mineraleve – forma kristalore, ngjyra, shkëlqimi, fortësia dhe çarshmëria. Më tej, mineralet janë sistematizuar sipas përbërjes së tyre kimike në disa grupe: elemente vendase, sulfide, halogjenide, okside, silikate, karbonate dhe sulfate. Kjo mënyrë e organizimit i mundëson vizitorit të kuptojë shumëllojshmërinë e tyre dhe të njihet me vetitë përmes të cilave mineralet dallohen dhe përcaktohen.
Pasuria minerale e Maqedonisë paraqitet përmes shumë ekzemplarëve, ndër të cilët galeniti, sfaleriti, piriti, kalkopiriti, flu oriti, kuarci, kalciti, malakiti, azuriti, gipsi dhe bariti. Një vend të veçantë në ekspozitë zënë loranditi, realgari dhe auripigmenti, si dhe korundi – rubini maqedonas. Ngjyrat e tyre mbresëlënëse, format dhe strukturat kristalore zbulojnë shumëllojshmërinë e botës minerale dhe kushtet e ndryshme natyrore në të cilat janë formuar këto minerale.
Pjesa petrografike i kushtohet shkëmbinjve, të cilët sipas mënyrës së formimit ndahen në tri grupe themelore – magmatikë, sedimentarë dhe metamorfikë. Nga graniti, andeziti dhe bazalti, përmes gëlqerorit, ranorit dhe tokës diatomike, deri te mermeri, gneisi dhe mikashisti, ekzemplarët e ekspozuar dëshmojnë për proceset dhe kushtet e ndryshme që gjatë kohës gjeologjike kanë formësuar territorin e Maqedonisë.