Shpallja e lokalitetit paleontologjik “Zmijovec” si monument natyror

Me iniciativën e Institucionit Kombëtar – Muzeu i Historisë Natyrore i Maqedonisë së Veriut – Shkup, lokaliteti paleontologjik “Zmijovec”, me VENDIM të miratuar nga ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, dhe të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut nr. 189/2024, më 11.09.2024, është shpallur monument natyror.

Shtresat fosilmbajtëse në rrethinën e fshatit Dolni Disan janë të pasura me faunë të periudhës së Miocenit të vonë. Sedimentet e hulumtuara dëshmojnë praninë e ranorëve, ranorëve argjilorë, diatomitit, qymyrit, konglomerateve dhe grimcave të imëta argjilore, karakteristike për basenet liqenore.

Formacioni në basenin e Tikveshit filloi të formohej në fund të Sarmatianit dhe në fillim të Meotianit (Turolianit), si rezultat i lëvizjeve intensive vertikale.

Të gjitha mostrat e hulumtuara nga rrethina e fshatit Dolni Disan kanë karakteristika të theksuara tipike për depozitimet aluviale lumore. Kjo mund të interpretohet si dëshmi se ato janë depozituar përmes transportit hidrodinamik relativisht të shpejtë.

Mostrat nga lokaliteti “Zmijovec” kanë karakter ranor dhe janë depozituar në bregun e tarracës lumore.

Karakteristikat hidrodinamike të depozitimit në lokalitetet e hulumtuara dëshmohen nga shumëllojshmëria e gjetjeve fosile.

Fauna fosile që gjendet në rrethinën e fshatit Dolni Disan, Negotinë, është e veçantë për nga karakteri i saj unik. Disa nga speciet e zbuluara në këtë lokalitet nuk janë gjetur në lokalitetet e tjera paleontologjike në vendin tonë.

Fragmentet fosile nga lokaliteti “Zmijovec” janë gjetur në shtresat sedimentare argjilore dhe ranore me ngjyrë të verdhë-kafe.



Fauna fosile e gjitarëve që gjendet në shtresat argjilore dhe ranore të këtyre rajoneve i përket Miocenit të vonë.

Sipas Spassov et al. (2018), prania e Tragoportax cf. amalthea dhe Anancus sp. dëshmon për faunën post-Pikermiane të katit turolian.

Nga pikëpamja sistematike, të gjitha këto specie i përkasin klasës Mammalia, Placentalia (gjitarët placentarë), të cilët në lokalitetin “Zmijovec” deri më tani përfaqësohen nga 6 rende, 13 familje dhe 19 taksone.

Në hartimin e elaboratit morën pjesë: Autore: Biljana Garevska, magjistre – kuratore e lartë. Hartën gjeologjike dhe përshkrimin i përgatiti: Biljana Karamachoska – kuratore e lartë. Hartën orientuese, duke përdorur bazat topografike, e përgatitën: Vasko Avukatov, Lazar Nikolov dhe Shoqata Ekologjike Maqedonase.