Departamenti i Gjeologjisë
dhe Paleontologjisë

Gjeologjia

Fillimi i studimit, koleksionimit dhe hulumtimeve në fushën e gjeologjisë nga ana e Muzeut të Shkencave të Natyrës daton në periudhën nga viti 1941 deri në vitin 1963, kur u organizuan hulumtime intensive në rrethinën e Shkupit, të cilat përbëjnë bazën për formimin e koleksioneve të para muzeale të mineraleve dhe shkëmbinjve.

Më vonë, për shkak të nevojës për zgjerim dhe krijimin e një koleksioni nga fusha e gjeologjisë, në vitet ’90, me punësimin e një gjeologu, u krijuan kushte më të mira për studimin, koleksionimin dhe prezantimin e mineraleve dhe shkëmbinjve. Ato përfaqësojnë pasuri natyrore dhe janë pjesë e natyrës së pajetë, të cilat kanë një rol të rëndësishëm në industri.

Muzeu posedon ekzemplarë të mrekullueshëm të gipsit, loranditit, stibnitit, piritit, kalkopiritit, korundit, galenitit, granitit, gnajsit, dioritit, bazaltit, mermerit, gurit gëlqeror, aleurolitit, ferikoronaditit, mikashistit, sfaleritit, kuarcit, baritit, johansenitit dhe të tjerë.

Sot, në Muze janë evidentuar rreth 2190 lloje muzeale të mineraleve dhe shkëmbinjve, ndërsa 108 prej tyre gjenden në ekspozitën e përhershme muzeale dhe i përkasin koleksioneve të mëposhtme:
 
  • Koleksioni mineralogjik - mineralet janë evidentuar dhe prezantuar në bazë të përbërjes së tyre kimike: sulfide, sulfate, silikate, okside dhe hidrokside, karbonate…
     
  • Koleksioni petrografik - shkëmbinj magmatikë, sedimentarë dhe metamorfikë.
 
Puna shkencore-hulumtuese në fushën e gjeologjisë, në kuadër të departamentit, është e orientuar drejt mineralogjisë. Ekspozita e përhershme mineralogjike-petrografike për herë të parë u hap në tetor të vitit 1976, në nder të 50-vjetorit të veprimtarisë së Muzeut.

Personi i kontaktit


Biljana Karamachoska
kuratore
b.karamachoska@musmacscinat.mk

Paleontologjia

Departamenti i Paleontologjisë është themeluar në vitin 1954 për hulumtimin dhe studimin e faunës fosile në vendin tonë. Nga viti 1954 e deri më sot janë zbuluar një numër i madh lokalitetesh të pasura me faunë fosile të gjitarëve dhe janë gërmuar shumë lloje të ndryshme. Lokalitetet e hulumtuara me fosile janë: fabrika Kiro Çuçuk, fshati Karasllar, Çashka, Prevalec (Veles); fshatrat Tremnik, Dollni Disan, Veshje (Negotinë); fshatrat Kuria dhe Vozarci (Kavadar); fshatrat Prsten dhe Bashiboz (Valandovë) etj. Nga lokalitetet e përmendura janë zbuluar (gërmuar) një numër i madh ekzemplarësh të llojeve fosile të gjitarëve, rëndësia e të cilëve është e paçmueshme për zhvillimin e shkencës së paleontologjisë në vendin tonë. Mosha gjeologjike e gjetjeve fosile daton nga Mioceni deri në Pleistocenin e vonë (24 MA deri në 12.000 vjet).

Periudha më karakteristike, gjatë së cilës shënohet kulmi i zhvillimit të gjitarëve, përkatësisht fauna e Pikermisë, është fundi i Miocenit. Kati i fundit i Miocenit të vonë quhet Turolian (9.0—5.3 Ma) dhe në kontinentin evropian njihet si epoka e gjitarëve (Schlosser, 1921). Ai përfshin katet Messinian dhe Tortonian. Kontributin më të madh në hulumtimin dhe afirmimin e paleontologjisë në vendin tonë dhe në botë e ka dhënë Prof. Dr. Risto Garevski, i cili ka publikuar më shumë se 50 punime shkencore në këtë fushë.

Sot, në muze janë evidentuar:
 
  • 10 000 ekzemplarë të 65 llojeve të ndryshme të gjitarëve fosilë;
  • 15 000 ekzemplarë të jovertebrorëve fosilë;
  • 160 lloje të ndryshme të bimëve fosile.

Personi i kontaktit


Mr. Biljana Garevska,
kuratore e lartë 
b.garevska@musmacscinat.mk